Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Pieter Feith, takime në Prishtinë
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Pieter Feith, tha dje në Prishtinë se komuniteti serb duhet ta ketë të qartë që Misioni i ri nuk është kërcënim për ta, por do të garantojë respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Këtë deklaratë ai e bëri pas një takimi që kishte me kryetarin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. “Unë do të jem këtu për të ndihmuar dhe këshilluar Qeverinë e Kosovës, për të marrë vendimet e domosdoshme për zbatimin e planit gjithëpërfshirës të Ahtisaari-t. Ne do t’i kushtojmë një rëndësi të madhe respektimit të të drejtave dhe lirive për të gjitha minoritetet dhe qytetarët këtu në Kosovë, duke përfshirë edhe atë serbë”,- tha ai. Ai tha se në bashkëpunim me ekzekutivin e vendit, do t’i dërgojnë sinjale serbëve të cilët janë duke jetuar në Kosovë, se vendi i tyre është këtu dhe se ata janë të mirëpritur të punojnë, me të gjithë qytetarët tjerë, për të ardhmen e Kosovës.
Sipas tij, qëllimi i BE-së është që të vendosë misionet e veta dhe kjo përfshin edhe misionin për sundim të ligjit, të përbërë nga policë, gjykatës, prokurorë, Misionin e BE-së për Politika të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në gjithë territorin e Kosovës dhe kjo nënkupton edhe pjesën veriore të Kosovës. “Unë tani jam duke sjellë në Kosovë personelin e misionit tim, respektivisht atë të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian dhe jemi në ndërtim e sipër të Zyrës Civile Ndërkombëtare”,- tha ai. Ai deklaroi më tej se gjenerali Yves de Kermabon do të jetë udhëheqës i misionit për sundimin e Ligjit, i cili do të fillojë të arrijë në Kosovë në javët në vijim. “Do të ketë një periudhë tranzicioni prej katër muajsh, gjatë së cilës periudhë BE-ja dhe NATO, do të jenë nën një kontroll operacional. Ne të gjithë jemi duke punuar me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244 dhe mendoj se ajo paraqet një bazë solide për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë”,- tha ai. Feith shpjegoi se puna e tyre do të jetë e dobishme edhe për komunitetin serb. “Ne nuk do të tërhiqemi nga Veriu i Kosovës, por kjo është një pikë në të cilën ne duhet ende të punojmë, t’i afrohemi komunitetit serb këtu, por natyrisht ne jemi në kontakt të afërt edhe me Beogradin”,- tha ai, duke shtuar se nuk duhet harruar se veriu mbetet kusht për Serbinë, që të lëvizë drejt BE-së. Ndërsa, kryetari i vendit, Fatmir Sejdiu tha se Pieter Feith është një personalitet që e njohin edhe më herët me angazhimet e tij të jashtëzakonshme rreth këtyre proceseve që ka kaluar vendi ynë. “Feith e njeh mirë Kosovën dhe gjithë qasjen që ne kemi pasur. Është njeri i eksperiencës së madhe në mandate ndërkombëtare”,- tha ai.
Ai tha se misioni i ri në Kosovë “EULEX”, është ai që kanë menduar institucionet e Kosovës, që ky mision do të jetë ndihmës i madh i drejtpërdrejt për Kosovën, për të kapërcyer sa më shpejt periudhën e tranzicionit që do të ketë vendi, të prezencës civile ndërkombëtare dhe për të bërë hapat më të mirë të mundshëm edhe për integrimet, por edhe për jetë më të mirë të qytetarëve. Ndërsa, sa i përket incidenteve të fundit të Mitrovicë, Sejdiu tha se është evidente se ka pasur ndonjë incident të natyrës së tillë, por po ashtu është shumë e qartë se në mandatin e trupave të KFOR-it dhe të misionit ndërkombëtar është bërë një punë në mënyrën më të mirë të mundshme. “Në kohën e duhur do të aplikojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të OKB-së”,- tha Sejdiu.
MASH ka urdhëruar që Pavarësia e Kosovës të pasqyrohet në tekstet shkollore të Historisë e Gjeografisë
Pavarësia e Kosovës, ndryshojnë tekstet shkollore
Shpallja e Republikës së Kosovës si shtet sovran e i pavarur do të pasqyrohet në tekstet shkollore në vendin tonë, për vitin akademik 2008-2009. Ky është urdhri i posaçëm i ministrit të Arsimit e Shkencës, Genc Pollo, sipas të cilit, në lëndën e Historisë është e nevojshme që ngjarjet të shtrihen deri në datën 17 shkurt 2008, përfshi dhe Pavarësinë e Kosovës. Sipas udhëzimit të MASH-it ky akt historik do të pasqyrohen në programin e Historisë së Klasës së 8-të, 9-të në arsimin bazë dhe Historisë të Vitit të 3-të dhe 4-të në shkollat e mesme. Ndërsa në lëndën e Gjeografisë, po sipas këtij udhëzimi, ndryshimet do të bëhen pikërisht për tekstin e Klasës 7-të e 9-të në arsimin bazë dhe Gjeografia e vitit të 4-të të shkollës së mesme. “Në porosinë për librat e reja të Historisë e Gjeografisë të vitit shkollor 2008-2009 (Altertekst 200
kusht për certifikim do të jetë pasqyrimi i kësaj ngjarje me rëndësi madhore për Kosovën, Shqipërinë, Evropën dhe botën”,- bëhet e ditur në udhëzimin e MASH-it duke u shtuar se për këtë botuesit do të marrin nga BOMIT udhëzime për ndryshimet përkatëse në programet lëndore. Në këtë mënyrë, Pavarësia e Kosovës do skalitet tashmë në histori. Shteti më i ri i botës, popullsia 2 126 708 banorë, 92% shqiptarë e të tjera karakteristika do të pasqyrohen në tekstet e gjeografisë dhe të historisë së vendit tonë. Kosova, e njohur për arin e saj në minierën e Trepçes në qytetin e Mitrovicës, e njohur për pjesën dërrmuese të popullsisë së saj me moshë relativisht të re, për fushat më pjellore në Ballkan, Fushë Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, nuk do t’i atribuohet më një shteti të huaj, as ish-Jugosllavisë, dhe as Serbisë. Këto karakteristika të lakmuara dhe kjo perspektivë ekonomike do t’i atribuohet vetë shtetit Kosovar, sovran dhe i pavarur.